Pyetja
Lexoni tekstet e mëposhtme dhe përcaktoni se cili prej tyre është tekst përshkrues. Çfarë përshkruhet në të?
■ Kam nisur të shkruaj duke vizatuar, duke bërë karikatura. Përpara se të dija të lexoja apo të shkruaja, vizatoja në shkollë e në shtëpi. E bukura është se vetëm tani e kuptoj se kur isha në shkollë të mesme, kisha reputacion shkrimtari, ndonëse në fakt nuk kisha shkruar ende asgjë. Po të ishte për t’u shkruar ndonjë pamflet, apo ndonjë peticion, gjithmonë do të isha unë ai që do ta shkruante, sepse, siç dukej, unë isha “shkrimtari”. ...Në universitet, në Bogota fillova të bëj shokë e miq të rinj, të cilët më njohën me shkrimtarët bashkëkohorë. Një natë një shok më dha hua një libër me tregime të Franc Kafkës. U ktheva në pensionin ku qëndroja dhe nisa të lexoj “Metamorfozën”. Rreshti i parë gati sa s’më hodhi nga shtrati. U habita aq shumë. Rreshti i parë thoshte: “Kur një mëngjes Gregor Samsa u zgjua pas ëndrrash të trazuara, u gjend në krevat i shndërruar në një kandër të përbindshme. ” Kur e lexova atë rresht, thashë me vete se nuk e kisha ditur që dikujt i lejohej të shkruante gjëra të atilla. Po ta kisha ditur, do të kisha nisur të shkruaja shumë kohë më parë. Ndaj menjëherë nisa të shkruaj tregime.
(Gabiel Garcia Marquez)
■ Telefoni më i ri i kompanisë “Apple”, iPhone 7-a, ka një sërë risish dhe karakteristikash të lavdërueshme. Sa u takon formës dhe përmasave, iPhone 7-a ngjan shumë me iPhone 6-ën, përveç kamerës së pasme që është veshur me të njëjtin alumin, si edhe pjesa tjetër e telefonit. Sa i takon peshës, modeli iPhone 7 peshon 9 gramë më shumë. Ky model është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit dhe është i pajisur me një buton të ri në qendër, që në fakt nuk është një buton i mirëfilltë, por një sipërfaqe që të krijon ndjesinë e klikimit, sapo preket me mollëzën e gishtit. Iphone-i më i ri do të punojë 50% më shpejt se pararendësit e tij dhe do të mbajë 2 orë më gjatë bateri se telefonat e tjerë të “Apple-it”. Ekrani i Iphone 7-ës është 25% më i ndriçuar se versioni i mëparshëm. Kamera e tij e pasme ka sensorë 12-megapikselë, dhe lente 6-elementeshe që kryejnë stabilizimin optik të imazhit. Po ashtu, cilësia e kamerës së përparme është rritur me sensorë 7-megapikselë, gjë që u jep mundësi përdoruesve të bëjnë “selfie” shumë më cilësore.
