Pyetja
Shkrimet e mëposhtme kanë tiparet e esesë letrare. Për secilin prej tyre përcaktoni se si është organizuar hyrja e shkrimit.
“Shqipnia, si kombi i vetëdijshëm për vlerat e veta të posaçme etnike e shpirtnore, qe bijë e letërsisë së lavrueme të nisun prej Jeronim De Radës më 1836 me Milosaun.
Tue mbledh kangët tradicionale prej gojës së bijës së Kologresë njohu forcën e ambëlsinë e dialektit të vendlindjes. E, thuejse në mënyrë magjistore, të ndjellun prej tingullit të atyne fjalëve të zakonshme, që tashti pa pritë e pakujtue, i hetonte të ngarkueme me thirrje të çuditshme që vijshin prej kohësh krejt të tejme, vegimi i tokës së largët të të parëve, ju shfaq menjëherë, i gjallë e rektues. Jetonte në nji skaj fatlum të atij atdheu, të gjallë e në lulëzim nën qiej të kaltërt, ndërsa atdheu i parë mekej i zhytun në errësirën e thellë të nji nate të gjatë pa shpresën e nji agimi. E ky mendim i papritun shkaktoi nji pështjellim të veçantë në gjakun e tij, prej të cilit qiti krye, thuejse i mbrasun me kujtime qysh para lindjes, në nji të trandun munguish e tharmesh etnike, kangjeli i parë i Milosaut, i cili mund të mbahet si e para sokllimë e mrekullueshme e letërsisë së lavrueme shqiptare posa të leme.
Në vargjet e Milosaut nuk ka asnji pikë ujdisje retorike, asnji gjurmë kujtimesh të kjarta librore: asht nji trokllitje e jetës së thjeshtë shqiptare, e cila prej vetvete bahet poezi. Nji limfë e mshehtë qarkullon ndërmjet rrokjeve të vargjeve. Tue i lexue e tue i shqiptue me za të naltë, shqiptarëve u duket se po kërkojnë shijen e langjeve ma të mshehta të rrajës së tyne etnike.”
Ernest Koliqi
Kur merr dhe lexon “Milosaon” e De Radës, para së gjithash të habit fakti se ky roman në vargje... është bashkëkohës i “Eugjen Onjeginit”, i poemave të Bajronit e të Lamartinit; por një bashkëkohës i drejtur dhe me fat më të keq. Ai hyri në pallatin e poezisë si një vajzë e bukur dhe e freskët, por mjerisht e belbër, dhe nga një vend i humbur... Kënga e parë e romanit, të duket sikur hap një dritare kundrejt detit dhe të magjeps e të verbon sytë gjithë ajo dritë, ajo “freski dhe paqe evangjelike”, siç shkruan për të Mistrali.
De Rada ishte novator i madh i poezisë sonë dhe novator i poezisë në përgjithësi. Ai e ndiente këtë gjë dhe prandaj edhe romanin e hap me këto vargje, që pohojnë se ai do të këndojë diçka të re në gjuhën e moçme të poezisë.
De Rada shkuli çdo gjë të tepërt dhe të panevojshme në përfytyrimin poetik të veprës, ai futi midis vargjeve dhe këngëve heshtjen si një mjet të fuqishëm artistik. Midis vargjeve, lexonjësi ndien vargjet e pashkruara, midis këngëve, këngë të tjera të pathëna; dhe kështu vepra të duket më e madhe dhe më e gjerë, ashtu si qyteti që duket më i madh dhe më i papërcaktuar në mbrëmje, kur ka rënë mjegulla. Pikërisht një fluiditet i tillë i derdhur në vepër e bën “Milosaon” të gjallë, me shpirt.
Nënteksti i përdorur nga De Rada ishte ahere një novatorizëm i madh. Ai ishte një nga premisat e artit poetik të kohëve më të vona... sipas të cilit, duhet të dish të heshtësh atje ku duhet, në mënyrë që të thuash sa më shumë.
Ismail Kadare
